Komuna e Gjilanit, sot në mëngjes ka nisur aktivitetin për pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve dhe trotuareve, në kuadër të rekomandimeve të kryetarit Haziri dhe Komisionit Emergjent, si masë preventive për t’i mbrojtur qytetarët nga mundësia e përhapjes së virusit COVID19.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, në prononcimin para gazetarëve, ka thënë se kjo është masë preventive për t’i mbrojtur qytetarët e Gjilanit dhe në varësi prej vlerësimeve të gjendjes kjo edhe mund të përsëritet me të vetmin qëllim që ambient ku lëvizin qytetarët të jetë i dezinfektuar.
“Me rekomandimin e kryetarit Haziri dhe vlerësimeve të Komisionit emergjent për mobilizim kundër Covid-19, kemi marrë këtë veprim në terren për dezinfektimin e rrugëve dhe trotuareve. Komuna e Gjilanit është në gjendje gatishmërie dhe fton të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent me kujdes maksimal dhe njëkohësisht për çdo dyshim, luten që të paraqiten në institucionet shëndetësore për t’u testuar. Nuk ka vend për panik në asnjë moment, sepse Komuna e Gjilanit ka marrë të gjitha masat për parandalimin e këtij virusi”, ka thënë drejtori Korça.
Ai ka shprehur një falenderim të veçantë për kompaninë El-Bau dhe Zuka, të cilat janë duke bërë pastrimin e rrugëve dhe dezinfektimin e tyre në mënyrë vullnetare dhe kështu puna e Komunës së Gjilanit në këto raste emergjente po bëhet më e lehtë me ndihmën që merret në vazhdimësi nga kompanitë gjilanase.