Komuna e Gjilanit ka nisur sot zyrtarisht një nga iniciativat më të mëdha në fushën e arsimit, duke filluar trajnimin profesional për 1,392 mësimdhënës të shkollave publike. Projekti synon të ofrojë mundësi të zhvillimit profesional pa pagesë, me qëllim përforcimin e aftësive të stafit arsimor dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, e vlerësoi këtë hap si një pikë kyçe për përparimin e arsimit në qytet, duke theksuar se investimi në mësimdhënës është investim në të ardhmen e fëmijëve dhe shoqërisë në tërësi.
“Sot po e dëshmojmë përkushtimin tonë për një arsim më të fortë dhe më cilësor. Mësimdhënësit janë shtylla e dijes dhe ne do t’i mbështesim me njohuri të reja, metoda bashkëkohore dhe përkrahje të vazhdueshme,” deklaroi Hyseni.
Përmes këtij programi, synohet të rritet jo vetëm niveli profesional i mësimdhënësve, por edhe përvoja mësimore e nxënësve, duke ndikuar në formimin e një gjenerate më të përgatitur për sfidat e kohës.
Kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi arsimor modern, të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet bashkëkohore./Radio Star/