Ndonëse festë nënash, grashë e vashash, Gjilani sot duket në zi të pashpallur. Rrugët nuk janë të mbushura si rëndom për ditë festash, në këtë kohë syri pranvereje.
Nuk ka aq shumë lule të ekspozuara bulevardit si zakonisht, për nënën, për gruan, për të dashurën, për vajzat e bukura të qytetit tim.
Shkruan: Shefik Surdulli
Rruga e gjatë përmes qytetit, kah e kishte përshkuar kamioni me shoferin fatzi brenda, pos drunjëve të gërvishur e ndonjë copë betoni të shkulur, nuk të lë përshtypjen se mu këtu, veç një ditë më parë, kishte ndodhur diçka e llahtarshme, diçka largë imagjinatës që nuk mund ta përshkruajnë as ata që e kishin parë e përjetuar me sytë e tyre.
Në krye të bulevardit, parkut të qytetit, aty ku ndodhi fatkeqësia e parë, të furra e bukës „Vëllezërit Çoçaj“, shumë njerëz ishin grumbulluar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, njeriut të urtë e të mirë, Qerimit, për të cilin dje ishte dita e tij e fundit.
Ditë e zymtë…! Rrëfimin për ngjarjen tashmë e kemi dëgjuar në shumë mënyra nga vet përjetuesit, kalimtarët, edhe nga ata që e kanë me të dëgjuar…!
Kafeneve të qytetit të mbushura plotë, sot më së shumti kjo ngjarje përflitet. „Isha në veturë me gruan. E pamë që kamioni ishte duke lëvizur drejtë nesh me shpejtësi të madhe. U përpoqa të lëvizi prapa për ti ikur tragjedisë që dukej fatale, por nuk munda ngase prapa në bisht godita makinën tjetër. Mbahu grua, se mbaruam. Çfarë të mendonim tjetër në këtë rast kur me sytë tonë e shihnim veten nën kamion.
Në çastin e fundit, shoferi me tërë forcë i dha timonit anës tjetër duke shmangë kështu vdekjen tonë dhe më pas u përplas në traktor dhe përfundoi në murin e bëtonit që ndante platonë e hotelit nga rruga. E të tjera rrëfime: „që ka mund të ndodhte tragjedia edhe më e madhe, në njerëz, e sidomos në nxënësit e shkollës fillore „Thimi Mitko“ buzë rrugës kah ka levizur komioni aksidentues“, fliten sot gjithandej qytetit.
Për të gjithë, e rëndë: për familjen që humbi më të dashurin, gjithsesi dhimbje; për gjthë të lënduarit, pastaj edhe për ata që kanë pësuar dëme materiale, që e qajnë tash mallin pasi kanë shpëtuar vet, fatbardhësisht. Por, më së vështiri dhe më së rëndi duhet ta ketë shoferi fatzi i kamionit që e shkaktoj tërë këtë katrahurë.
Pamjet e djeshme të tij me lotë në sy (natyrë njerëzore), të japin këtë ndjesi. Ai tash, mes katër mureve, nuk e ka më hallin e vet, por, e ka hallin e të gjithëve, ka tronditje me dhimbje për të vdekurin dhe familjen, të shkaktuar nga vet ai; ka dhimbje për të lënduarit, për secilin veç e veç, poashtu si pasojë e tij; ka mërzi e shqetësim edhe për dëmet tjera të shkaktuara nga vet ai.
Të fundit dhimbje e ka për familjen e vet, për të cilën po e siguronte kafshatën e gojës. Dhembje e natyrshme për tragjedinë e parë e dëgjuar me ç’lemeri nga i ati, nga fëmijët, bashkëshortja, farefisi e mëhalla.
Pas krejt kësaj tragjedie, vjen një zë nga shpirti i një njeriu të madh, nga i biri i të ndjerit Qerim Çoçaj, për familjen e „vrasësit“: „Eni në varrimin e babës, ta ndajmë dhimbjen së bashku…!“. (…)
Këtu është madhështorja: traditë, kulturë, edukatë shqiptare !
Sot në Gjilan, më tepër urimi që kjo të jetë e fundit dhe „mos na raftë me harru“, se sa për 8 Marsin!