Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku, i shoqëruar nga Besnik Shala dhe Blerim Haziri, anëtarë të Kuvendit, drejtori i Kulturës, Kushtrim Zeqiri si dhe nga shoqëria civile, Muhamet Halili, gazetar dhe prozator, kanë mirëpritur, prozatorin dhe studiuesin e letërsisë shqipe Behar Gjoka, që shoqërohej nga shkrimtari Namik Dokle, njëherësh ish-kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, gazetari dhe kritiku letrar, Aleksandër Çipa dhe Valon Gashi, gazetar dhe diplomat.
Pritja e ngrohtë delegacionit nga Shqipëria iu bë me rastin e qëndrimit të tyre në Gjilani, ku paraprakisht në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, u mbajt takim bashkëbisedues me prozatorin dhe studiuesin e letërsisë shqipe, Behar Gjoka, autor i librit “Hejzat e Pashkut”.
Mysafirët kanë vlerësuar institucionet e Gjilanit dhe kanë falënderuar kryesuesin Sadiku, për faktin që Gjilani i kushton rëndësi të madhe kulturës në përgjithësi, e librit në veçanti, ndërsa, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku, i ka njoftuar ata edhe për faktin se janari është muaj që e bënë Gjilanin, qendër të kulturës, pasi kemi manifestimin Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”.
Më tej, kryesuesi Sadiku, por edhe drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Kushtrim Zeqiri, u janë përgjigjur interesimit të mysafirëve për “Flakën e Janarit”, por edhe folën për mundësinë e bashkëpunimeve në të ardhmen, në çdo segment të kulturës.
Nga ana e tyre, studiuesi Gjoka, por edhe shkrimtari Dokle e kritiku Çipa, vlerësuan lartë institucionet e Gjilanit për përkushtimin e madh që po e kanë për kulturën dhe e falënderuan kryesuesin Sadiku për pritjen e ngrohtë vëllazërore.