Organizuar nga Zyra e Kryetarit në Gjilan, është mbajtur të dielën mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të matematikës, Artan Bunjaku, i cili ndërroi jetë papritur, të shtunën.
Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka folur drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, i cili e ka vlerësuar lartë veprën e profesor Bunjakut.
“Artani ka qenë njeri me plot virtyte e sinqeritet. I përkushtuar në punë me nxënësit, mik me kolegët e gjithë neve që e patëm fatin ta njohim. Ndarja me Artanin në këto kohë të vështira, bëhet humbje e madhe jo vetëm për familjen…..po edhe për Gjimnazin dhe përgjithësisht arsimin në Komunën tonë”, ka thënë, përpos tjerash, Gagica.
Drejtori i gjimnazit “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha, Bunjaku bëri një jetë jo të gjatë, por një jetë shumë të pasur e me vlera.
“Në emër të gjithë profesorëve, nxënësve dhe prindërve t’ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku. Sot, gjimnazi është ndryshe nga ditët tjera. Po e kujtojmë një shok, koleg e pedagog i cili na ka dhënë kurajo në cdo moment dhe kurajo e tij na bënë të jemi krenarë. Ai bëri një jetë jo të gjatë, por një jetë shumë të pasur e me vlera. Ai do të jetë frymëzim për ne”, tha Hoxha.
Në emër të kolegëve ka folur profesor Enver Këqiku, i cili tha se Artan Bunjaku ishte dhe do të mbetet shembull i një punëtori arsimor të përkushtuar.
Ndërkohë, në emër të familjes ka folur djali i të ndjerit, i cili i ka falënderuar të gjithë për respektin e madh që kanë treguar për figurën e Bunjakut.