Në Melbourne të Australisë është mbajtur Samiti Global i “Strong Cities Network”, ku ndër temat kryesore të diskutimeve ka qenë edhe parandalimi i ektremizmit të dhunshëm dhe përkrahja e bashkëjetesës në harmoni.
Shembulli i Gjilanit si një nga qytetet e para të Kosovës që iu është bashkuar këtij rrjeti ndërkombëtar qytetesh, SCN, në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm e në veçanti në përkrahjen dhe përmbushjen e kërkesave të qytetarëve për jetë në paqë dhe harmoni me të gjithë, është prezantuar në këtë samit nga Faton Bislimi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri.
“Ishte nder dhe përgjegjësi që para përfaqësuesëve nga dhjetra vende të botës, të niveleve të ndryshme qeveritare, lokale, por edhe akademike e të shoqërisë civile, të flas për Gjilanin. Shembulli i përkushtimit të Komunës sonë nën lidershipin e Kryetarit Haziri për t’i ofruar jetë në paqë dhe harmoni të gjithë qytetarëve pa dallim etnie apo besimi fetar është mirëpritur nga të gjithë”, ka thënë Bislimi.
“Ne jemi komuna që në mënyrën më të suksesshme ka implementuar edhe Mekanizmin Referues për Parandalim të Ektremizmit të Dhunshëm që Shpije në Terrorizëm, dhe ky mekanizëm ka zgjuar kurreshtjen e shumë qyteteve tjera pjesëmarrëse në këtë samit – që nga Mombasa e Tripoli, deri tek Chattanooga në SHBA,” ka shtuar Bislimi.
Samiti Global i SCN në Melbourne të Australisë në përmbyllje të punimeve tri ditore ka adoptuar edhe një Deklaratën e Melbourne-it si dokument formal që shpreh përkushtimin e SCN dhe qyteteve anëtare për të vazhduar punën e tyre në drejtim të luftimit të ekstremizmit në të mire të paqes, prosperitetit, dhe harmonisë për të gjithë.
Komuna e Gjilanit
Zyra për Informim