Gjilan, Shkurt 2017
“Gjilani Riciklon”, projekt ky që ka nisur fazën e dytë të zhvillimit të tij në lidhje me vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e riciklimit të mbeturinave, të marten është bërë edhe me dy bashkëpunëtorë të rinjë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre që të jenë pjesë e projektit.
Qendra grafike “Pika 5A” si dhe studio e reklamave “Pexi”, i janë bashkangjitur projektit “Gjilani Riciklon”, duke u bërë kështu dhurues të mbetjeve recikluese që bizneset e tyre sjellin. Duke e parë të arsyeshme dhe mëse të nevojshme një proces të tillë, pronarët e këtyre dy bizneseve private, kanë zgjedhur të bëhen pjesë e fushatës së nisur nga Green Art Center – Prishtina, duke ofruar mbetjet e tyre për kompaninë e riciklimit, mbetje këto që deri më tani kanë shkuar dëm, për shkak të pamundësisë së riciklimit të tyre.
Pronari i qendrës grafike “Pika 5A” në Gjilan Adnan Sllamniku, ka thënë se në cdo qytet të Kosovës ka nevojë për kompani të cilat ofrojnë riciklimin e mbeturinave, pasiqë cdokund funksionojnë biznese mbetjet e të cilave mund të përpunohen.
“Më vjenë mirë që në Gjilan më në fund e kemi një mundësi të tillë, pasiqë është për tu dhimbsur i gjithë ky material riciklues që qohet dëm duke u hedhur në kosha të plehrave bashkë me cdo lloj mbeturine tjetër”, ka thënë Sllamniku.
Ndërkaq, edhe pronari i studios së reklamave “Pexi” Shpetim Ibrahimi, është shprehur i kënaqur me mundësinë e riciklimit, pasiqë edhe biznesi i tij prodhon mjaft materiale ricikluese, të cilat do të ishte shumë më e dobishme për mjedisin që të ricikloheshin.
“I jam bashkangjitur këtij projekti sepse e kam parë të nevojshme që kështu duhet të veprohet nga secili biznes, pa marrë parasysh veprimtarinë që ushtrohet. Nga cdo biznes ka mundësi të riciklimit, prandaj është shumë e rëndësishme që të vetëdijesohemi dhe këto iniciativa ti përkrahim me vetdëshirë”, ka thënë Ibrahimi.
Ndryshe, drejtoresha ekzekutive e GAC-it Merlina Beu Mucaj, ka thënë se është për tu përshëndetur vullneti i këtyre dy bizneseve gjilanase për t’iu bashkangjitur projektit “Gjilani Riciklon”.
“Qysh në hapat e parë të ecurisë së projektit në Gjilan kemi parë një gadishmëri të fuqishme të qytetarëve për të bashkëpunuar dhe mbarëvajtja e procesit ka qenë vazhdueshëm e kënaqshme. Na vjenë mirë që tani vazhdimësisë së nismës sonë i janë bashkangjitur edhe dy biznese të kësaj komune, vullneti I të cilëve na bënë të besojmë akoma më shumë në bashkëpunim sa më të gjerë në Gjilan”, ka thënë Beu Mucaj.
Projekti “Gjilani Riciklon”, në janar të këtij viti ka nisur fazën e dytë të zhvillimit, ndërsa është projekt i Green Art Center – Prishtina, i cili implementohet në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Gjilanit dhe Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, i financuar nga Gizi gjerman.