Me mbështetje të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Drejtoria Komunale e Arsimit ka mbledhur sot në sallën e Teatrit të Qytetit, mësimdhënësit e shkollave të Gjilanit për t’i uruar ata për festën e madhe të 7 marsit, Ditës së Mësuesit.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, në këtë takim ka thënë se arsimtarët, përveç dijes, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe angazhimit për liri e barazi.
“I falënderoj arsimtarët, në veçanti ata që kanë dalë pension, të cilët rrugën e gjatë të arsimit dhe edukimit nuk e bënë vetëm për nxënien e dijes, por ata i mësuan nxënësit edhe se si fitohet liria, dhe si duhet të angazhohen për barazi për ndërtim të shtetit, për eliminim të dukurive negative etj. Mësimdhënësit dhe gratë janë deputetët më të mëdhenjë të përfaqësimit më të denjë të qytetarëve në shoqëri dhe gjithandej”, ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini.
Ajo gjithashtu ka konfirmuar se mbështetja e kryetarit Haziri nuk do të mungoj në asnjë moment për arsimin në përgjithësi dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.
Ndërsa, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, në fjalën e tij ka potencuar sfidat dhe përpjekjet maksimale që janë bërë nga atdhetarët e mëdhenjë, revolucionarët dhe rilindasit nga nisma e parë për shkollën shqipe në Korç e deri më sot.
“Arsimi në Gjilan ka kaluar poshtu në sfida të ndryshme dhe njëkohësisht në këtë rrugë shkolla në Gjilan për këto vite ka arritur shumë në rrafshin e reformave, përmirësimit të kushteve dhe më e rëndësishmja që nxënësit në të gjitha përfaqësimet dhe fushat janë një shembull që na bëjnë krenar të gjithëve me nivelin e lartë që kanë. E gjitha kjo është arritur me mbështetjen e madhe që kryetari Haziri po e jep në vazhdimësi për cilësi dhe kushte më të mira për sektorin që garanton të ardhmen”, ka thënë mes tjerash Gagica derisa i ka uruar mësimdhënësve festën e 7 Marsit.
Ndërsa, Daniele Passalacqua, nga kooperacioni i Luksemburgut, në fjalën e rastit ka thënë se është një kënaqësi e madhe që të shoh ecjen e fuqishme që Gjilani në sektorin e arsimit e ka bërë. Ai poashtu ka porositur edhe shkollat tjera në shtete të ndryshme në Ballkan që të ndjekin shembullin e arsimit dhe shkollave të Gjilanit, në të gjitha nivelet.
Për ndryshe, Drejtoria e Arsimit, ka ndarë mirënjohje për të gjithë mesimdhënësit e pensionuar në vitin 2019-’20 dhe është mbajtur një program i pasur kulturo-artistik nga kori i shkollës së muzikës.