Komuna e Gjilanit ka shënuar Ditën Botërore të fëmijëve me sindromin Down me grumbullimin e fëmijëve në sheshin kryesor të qytetit për të paraqitur afinitetet e tyre në fusha të ndryshme si pikturë dhe aktivitete të tjera.
Kësaj dite i është bashkuar edhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi Emini, udhëheqësit e shërbimeve të ndryshme sociale dhe organizatat që merren me trajtimin ditor të fëmijëve “PEMA” dhe “Handikos”.
Të gjithë njëzëri kanë dhënë mbështetjen e tyre për të punuar vazhdimisht që fëmijët dhe qytetarët në përgjithësi me sindromin Down, të jenë pjesë aktive e shoqërisë së Kosovës dhe e zhvillimit në përgjithësi.
Kryesuesja Kurteshi Emini tha se Komuna e Gjilanit ka bërë organizime të ndryshme për qëndrueshmërinë financiare që të ketë edhe qëndrueshmëri të aktivitetet dhe trajtimit solid të qendrave ku trajtohen këta fëmijë.
Ndryshe, synimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi si dhe promovimi për personat që kanë këtë sindromë në mënyrë që të jetojnë me dinjitet dhe për të qenë aktivë e pjesëmarrës në komunitetin dhe shoqërinë ku jetojnë.