Pas humbjes shokuese me Malishevën në minutën e fundit të kohës shtesë, Gjilani ka udhëtuar në Prishtinë me besimin se do të përsërisë ndeshjen e suksesshme që e pati ndaj Lirisë, derisa edhe Prishtina kishte bërë llogaritë e veta, ngase deri më tash nuk ka pësuar asnjë humbje në kryeqytet.
Të dy ekipet ndeshjen e nisën me kujdes, me disa tentime më të shumta të Prishtinës, që mëtonte të rrezikojë pak më tepër. Por në minutën 28, pas një shpërthimi nga e majta të Oltion Bilallit dhe harkimit në brendi, Senad Jaroviq qëlloi këndin e epërm të majtë të portës së Prishtinës për rezultatin 0:1. Mirëpo pak minuta më pas, pas një harkimi nga këndi, Senad Jaroviq aksidentalisht preku topin me dorë dhe pas rishikimit në VAR gjyqtari dha penalti për Prishtinën, të cilën në minutën 36, Leotrim Kryeziu e shndërroi në gol për 1:1.
Në minutën 39, Jaroviq pati rast të mirë shënimi pas harkimit nga e djathta, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi në duart e portierit Nika. Në minutën 40, pas ndërhyrjes së Jakubut në Ibrahimin gjyqtari dha penalti për Gjilanin, por pas ndërhyrjes së VAR-it doli se fauli ishte shkaktuar jashtë zonës. Pjesa e parë u mbyll baraz 1 me 1.
Gjilani pati rast të mirë shënimi në minutën 54, kur pas harkimit të Thaqit, Jaroviq gjuajti me kokë, por Ardit Nika bëri një superpritje dhe shpëtoi gol të sigurt. Në minutën 66 Prishtina ka mundur të shënojë nëpërmjet qendërsulmuesit Sanday, por ai duke dashur të përballojë Haxhihamzën e përballoi edhe portën. Në minutën 72, Haxhihamza bëri një superpritje pas gjuajtjes së Leotrim Kryeziut. Krejt këto raste erdhën si pasojë e tërheqjes së skuadrës së Gjilanit e kur kthehesh në mbrojtja tërësisht ndodhin edhe gabimet, kështu portieri Haxhihamza bëri një gabim të madh duke ia dhuruar topin lojtarit kundërshtar, i cili fatmirësisht për Gjilanin e shërbeu një lojtar që ishte në pozitë jashtë loje dhe rezultati mbeti i pandryshuar. Mirëpo në minutën 81 erdhi dënimi, kur pas një goditje nga këndi, Leonard u shkëput më së larti dhe me kokë shënoi një gol të bukur për 2:1. Deri në fund Gjilani e kërkoi barazimin dhe atë e arriti në fund të ndeshjes, në minutën e katërt shtesë, kur Kushtrim Shabani pasi është shërbyer mirë nga Basha ia doli të ndalë topin dhe me gjuajtje të fortë e qëlloi këndin e poshtëm të majtë për rezultatin 2:2. /kryelajmi.com/.