Sot në Superligën e Kosovës zhvillohen dy ndeshje të vlefshme për xhiron e 13-të, dhe vëmendja është e përqendruar te përballja mes Gjilanit dhe Suharekës. Kjo sfidë pritet të nisë në orën 13:00 në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan.
Pas humbjes me rezultat 3-1 si mysafir ndaj Suharekës, SC Gjilani kërkon të hakmerret në shtëpi dhe të sigurojë tri pikët për t’u larguar nga zona e rrezikshme, ku aktualisht renditet me vetëm 13 pikë.
Trajneri Ardian Nuhiu, në konferencën për shtyp të mbajtur dje, ka theksuar se ekipi ka analizuar kundërshtarin dhe do të përpiqet të neutralizojë pikat e tij të forta dhe të shfrytëzojë dobësitë e Suharekës.
Për formën e dobët të ekipit, Nuhiu ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë, duke kërkuar që tifozët të mos i sulmojnë futbollistët. “Fajin e mbaj unë. Nuk dua që të fajësohen futbollistët për situatën që po kalon Gjilani,” u shpreh ai, duke shprehur mbështetje të plotë për skuadrën.