Këtë javë zhvillohen ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor, të vlefshme për xhiron e 18-të të Superligës së Kosovës.
Gjilani, pas fitores në derbin kundër Dritës, sot do të përballet me një udhëtim të vështirë ndaj Ferizajt, skuadër që ka treguar performancë të mirë si vendas.
Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, foli në konferencën për shtyp para ndeshjes, duke theksuar se lojtarët e tij duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të tregojnë përqendrim maksimal në këtë përballje.
“Na pret një përballje e vështirë. Ata mbrohen mirë si grup dhe sulmojnë si grup. Ne kemi përgatitur ndeshjen për t’u ballafaquar me një kundërshtar të tillë,” tha Nuhiu.
Ndeshja do të luhet sot, duke filluar nga ora 13:00, në stadiumin me bar sintetik në qytetin e Ferizajt.