Kolektivi i Gjimnazit “Hydajet Lezha” nga Lezha në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan
Dy Gjimnazet kanë ripërtërirë lidhjet e mëhershme, duke u ribinjakëzuar dhe rikthyer miqësinë e vjetër.
Në emër të kolektivit të Gjimnazit “Zenel Hajdini”, mirëseardhje u ka uruar drejtori Sami Hoxha, i cili ka thënë se vizita e mësimdhënësve të Gjimnazit të Lezhës në Gjilan synon dinamizimin e kontakteve dhe bashkëpunimit të dy shkollave, kolektiveve e nxënësve me qëllim të shkëmbimit të përvojave edukative – arsimore.
Drejtoresha e Gjimnazit “Hydajet Lezha” të Lezhës, Yllka Çuko, tha se erdhën në Gjilan për ta rikthyer miqësinë e vjetër, për ta avansuar e dinamizuar atë në interes të përbashkët.
Erdhën vetëm një pjesë e kolektivit të Gjimnazit, sepse kishim javën e ngarkuar me provimet, dhe pjesa tjetër e mësuesve mbeti për t’i kryer punët me nxënës, u shpreh ajo.
E udhëtimi nga Lezha deri në Gjilan…”Ne po mendonim se po i afroheshim Gjilanit, por nga lodhja na dukej se Gjilani po na largohej, dhe më në fund arritëm…”, u shpreh ajo me gjuhë artistike.
Rreth 25 mësimdhënës të Gjimnazit të Lezhës kanë mbërritur në Gjilan të enjten në mesditë dhe do të qëndrojnë deri në pasditën e të premtës. /N.B./