Shkolla e Mesme e Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan, ka pranuar sot një donacion me mjete të konkretizimit nga bashkëatdhetarët tanë në Zvicer, Agon edhe Isuf Behluli, të cilët këtë hap e ndërmorrën në kuadër të krijimit të kushteve më të mira të mësimdhënies në shkencat shoqërore.
Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, falënderoi donatorët për ketë mbështetje në kohë pandemie, ku këto mjete konkretizimi do të krijojnë kushte më të mira në mësimxënie për nxënësit e kësaj shkolle.
“Tavolinat e punës, karriget, pajisje të ndryshme teknologjike, laptopë, projektorë, kompjuterë dhe mjetet e tjera të konkretizimit, janë vetëm disa nga mjetet që sot e pasurojnë gjimnazin shoqëror dhe mësimnxënien. Ky donacion i cili është ndërmjetësuar nga sekretari Reshat Behluli, është një dëshmi e mirë se çfarë përkushtimi në punë të personelit të shkollës. Në bazë të asaj që kanë deklaruar Agoni dhe Isufi, ky është kontigjenti i parë, sepse në të ardhmen kemi premtimet që do të marrim edhe donacione të tjera të kësaj fushe”, ka thënë mes tjerash drejtori Gagica.
Ndërsa, në emër të Gjimnazit “Zenel Hajdini”, ka folur drejtori Sami Hoxha, i cili, ka konfirmuar se me këto mjete do të ndryshojë edhe shkolla edhe cilësia në mësim.
“Ky donacion na jep shpresë që edhe ne të ecim përpara në hap me teknologjinë dhe metodat e punës në fushën e arsimit. Ne kemi nevojë për mjete të konkretizimit, por edhe për donacione të tjera, sepse investimi në arsim është investim në qëndrueshmëri dhe ardhmëri i qëndrueshme e nxënësve tanë”, ka thënë mes tjerash, drejtori Hoxha.