Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një rrahje që ka ndodhur sot në Fakultetin e Mjekësisë, ku prindi i një studenti dyshohet se ka sulmuar fizikisht profesoreshën e këtij Fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci, e cila po ashtu është bashkëshortja e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci.
Sinjali ka konfirmuar se personi që dyshohet se rrahu profesoreshën Pupovci, është Arsim Gashi, babai i studentit të Fakultetit të Mjekësisë, Donat Gashi.
Arsim Gashi i cili është me profesion gjinekolog, nuk e ka ‘sefte’ që bie ndesh me ligjin.
Siç është raportuar edhe më parë, Gashi ishte arrestuar në mars të vitit 2020, nën dyshimet se ka mundësuar abortin e një vajze të mitur nga Gjilani.
Gashi dyshohej se për 500 euro, në kundërshtim me Ligjin për Ndërprerjen e Shtatzënisë, ka kryer abortin e 14-vjeçares nga Gjilani, e cila dyshohet se ishte dhunuar seksualisht nga një 21-vjeçar dhe shoku i tij 30-vjeçar.
Ai po ashtu, në vitin 2017, kishte kërcënuar dy herë drejtorin e atëhershëm të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitinë.
Madje, në rastin e dytë të kërcënimit, Gashi dyshohet se kishte shkuar në zyrën e Vitisë duke lënë “porosi” tek asistentja e zyrës.
E ngjarja e pazakontë që ndodhi sot në Fakultetin e Mjekësisë, në të cilën u përfshi Gashi, për motiv kishte mosmarrëveshjen profesor – student, me ç’rast babai i Donatit, Arsimi, në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij, dyshohet se ka grushtuar profesoreshën Pupovci dhe e ka sulmuar me mjet të fortë (gotë qelqi).
Ngjarja është raportuar edhe në Polici nga sigurimi i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë kontaktuar me viktimën, kanë siguruar provat materiale dhe kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë.
E lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali.