Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas lejimit të një kënge nacionaliste serbe gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian.
Përmes një postimi, Gjini e ka cilësuar këtë veprim si “fyerje të rëndë ndaj shtetit tonë”, duke kërkuar nga Brukseli që të japë sqarim për këtë lëshim.
Ai ka kritikuar edhe qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë incident me, siç është shprehur, diplomacinë e dështuar dhe raportet e prishura me aleatët.
“BE mbrëm tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët”, ka shkruar Gjini.
Tutje, ai ka theksuar se qeveria, sipas tij, e ka lënë Kosovën jashtë tavolinave kryesore dhe ka krijuar hapësirë për provokime të tilla.
“Me diplomaci të dështuar, me raporte të prishura me aleatët dhe me Kosovën e lënë jashtë tavolinave kryesore, kjo qeveri ia ka hapur derën provokimeve të tilla në mes të Brukselit”, ka deklaruar ai.
Në fund, Gjini ka kërkuar reagim urgjent institucional në rrugë zyrtare.
“Shteti duhet të reagojë urgjentisht në rrugë zyrtare dhe t’i japë fund kësaj loje me fatin e vendit, sepse kur udhëheqja jonë e trajton shtetin me amatorizëm, çmimin e paguan krejt Kosova”, ka përfunduar Gjini.










