Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Gjini i ka cilësuar dënimet si “tronditëse dhe thellësisht zhgënjyese”, duke shprehur solidaritet me familjet e të dënuarve, bashkëluftëtarët dhe qytetarët e Kosovës.
“Dënimi me nga 25 vjet burg i Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, me 18 vjet burg i Kadri Veselit dhe me 13 vjet burg i Rexhep Selimit, është tronditës dhe thellësisht zhgënjyes”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ai ka theksuar se aktgjykimi, sipas tij, nuk mund ta ndryshojë atë që e cilëson si të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky aktgjykim nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi luftë të drejtë dhe çlirimtare kundër regjimit kriminal të Serbisë”, ka deklaruar Gjini.
Kryetari i Aleancës ka kujtuar edhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës, duke thënë se vendi është sot i lirë dhe sovran falë luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve.
Në reagimin e tij, Gjini ka bërë thirrje për ruajtjen e Kosovës dhe unitetit të saj, ndërsa ka kërkuar angazhim më të madh institucional për procesin gjyqësor në shkallën e dytë.
“Ta ruajmë Kosovën sepse në atë mënyrë nuk ua japim armiqve kënaqësinë që e presin. Kosova duhet të bëjë shumë më shumë që katër udhëheqësit e UÇK-së të shpallen të lirë në shkallën e dytë të gjykimit”, ka përfunduar Gjini.










