Komuna e Gjilanit nuk po arrin ta implementojë një projekt të ndërtimit të rrugës, e cila do të lidhë dy lagjet e qytetit përkatësisht lagjen “Iliria” me lagjen e “Kumanovës” shkaku i një prone, e cila i takon shoqatës së gjahtarëve “Agim Ramadani”. Në këtë pronë, parashihet të kalojë traseja e rrugës ku edhe parashihet rrënimi i objektit të shoqatës në fjalë.
Komuna ka filluar punimet në muajin prill të vitit të kaluar pa pasur marrëveshje me shoqatën e gjahtarëve, të cilat punime më vonë ishin ndërprerë. Qeverisja komunale thotë se për zhbllokimin e punimeve ata i kanë ofruar shoqatës si kompensim një pronë komunale në fshatin Zhegër si dhe një hapësirë brenda ndërtesës, e cila është e ndërtuar përmes partneritetit publiko-privat.
Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike, ka theksuar se fillimisht duhet të bëhet vlerësimi i pasurive dhe pastaj do të merret një vendim me të cilën edhe do të rifillojnë punimet. Ai thotë se pasi të përfillen këto procedura atëherë edhe do të fillojnë me punimet.