Lushtaku, Gashi e Shala gjobitën për gjuajtje me armë Dardan Gashi, ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Sami Lushtaku, ish-kryetar i Skenderajt, janë shpallur fajtorë për gjuajtjet me armë në odën e Fatmir Limajt në Banjë të Malishevës. Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë, Ministrin Dardan Gashi e dënoi me 1 mijë e 700 euro gjobë. Ministri Endrit Shala u dënua me 2 mijë e 400 euro. Ish- kryetari Skenderajt, Sami Lushtaku me 1 mijë e 700 euro. Gjykata ndaj të dënuarve ka shqiptuar dënim plotësues dhe ua ka konfiskuar të gjitha armët e cekura në aktakuzë që kanë qene mjet i kryerjes së i veprës penale. Endrit Shala, ministër i Tregtisë, Dardan Gashi, ministër për Diasporë, e Sami Lushtaku ish-kryetar i Komunës së Skenderajt, të mërkurën ishin ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore të Gjakovës- Dega në Malishevë. Kur hyri në sallë, i prirë nga avokati Arianit Koci, Sami Lushtaku ishte shprehur “i dëshpëruar” me praninë e vogël të mediave në seancë. “Paskeni ardhë më pak sot a? Pse kështu se ngjarje e madhe, e rëndësishme është!”, ishin fjalët e Lushtakut me të hyrë në sallë të gjykimit. Në fillim të seancës, ashtu siç e parasheh procedura, gjyqtari Njazi Morina mori të dhënat personale të të akuzuarve, ndër to profesionin. Po ashtu gjyqtari pyeti të akuzuarit për të kaluarën e tyre dhe nëse kanë qenë të dënuar më parë. Por kësaj radhe, profesionet e të akuzuarve që ishin para gjyqtarit dallonin shumë nga të akuzuarit e zakonshëm. Dardan Gashi kur u pyet nga gjyqtari për profesionin e tij a tha se “punoj në Qeveri”, por gjyqtari i kërkoi që të sqaronte pozitën e tij të punës, e Gashi shtoi se “jam ministër i Diasporës”. I njëjti tha se kurrë s’ka qenë i dënuar. Edhe Endrit Shala i pyetur nga gjyqtari për profesionin u përgjigj: “Ministër punoj”. E i pyetur për gjendjen e tij ekonomike, Shala u përgjigj: “Mirë shyqyr prej Zotit”. Lidhur me të kaluarën e tij ai deklaroi se “asnjëherë, kurrë në jetë s’kam qenë i dënuar”. Sami Lushtaku, i cili u shfaq i disponuar e në humor të mirë gjatë gjithë seancës, kur u pyet nga gjyqtari i rastit për të kaluarën e tij, tha se “i dyshuar gjithmonë, por i dënuar jo”. Përderisa Dardan Gashi e Endrit Shala që të dy ministra u deklaruan se janë të gjendjes së mirë ekonomike, Sami Lushtaku u deklarua me gjendje ekonomike “të mesme”. E kur erdh koha e leximit të aktakuzës, Endrit Shala i kërkoi gjyqtarit që të mos lexohet aktakuza. “Të konsiderohet e lexuar gjyqtar, besoj që krejt janë të pajtimit”, tha ai. Me pajtimin e të gjithë avokatëve nuk u lexua aktakuza. Prokurori nuk pati reagim dhe nuk është deklaruar asgjë për leximin e aktakuzës. Radha i erdhi deklarimit të të akuzuarve me radhë duke filluar nga Dardan Gashi, i cili kur u pyet nga gjyqtari i rastit se a e kupton aktakuzën dhe e pranon fajësinë, u përgjigj shkurt: “E pranoj fajësinë”. Edhe Endrit Shala e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohej sipas aktakuzës. “Kam menduar që nuk është vepër penale gjuajtja me armë me gaz, e kërkoj nga Gjykata që me marrë parasysh pse na ndodh ky rast, edhe se nuk e kemi dëmtuar askënd, dhe nuk e kemi shqetësuar askënd”, ka shtuar Shala. Ai tha se edhe se nuk e ka ditur që përdorimi i armës me gaz është vepër penale. Sami Lushtaku fillimisht u mbrojt në heshtje. “Ja kam marr dorën gjyqtar diqysh, e du me u mbrojt në heshtje”, tha ai. Por pas kësaj avokati Arianit Koci kërkoi një pauzë prej 30 minutash për konsultim me të akuzuarit. Pas kthimit në sallë Sami Lushtaku e pranoi fajësinë për gjuajtje me armë me gaz në odën e Limajve. Avokati Koci kërkoi nga mediat që të precizohet se armët e përdorura kanë qenë me gaz. “Kërkojmë nga mediat që të precizohet se ka qenë gjuajtje me armë me gaz, ashtu edhe siç e parasheh aktakuza”, tha Koci. Ky i fundit gjithashtu shtoi se “edhe pse klienti im nuk e ka ditur se nuk është e lejuar përdorimi i kësaj pistolete me gaz, e ka pranuar fajësinë, njëherësh i vjen shumë keq që ka ndodhur rasti në fjalë dhe shpreh keqardhje publike dhe gjithashtu premton se më nuk do të përsëris më këtë veprim”. Edhe të akuzuarit tjerë Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati e pranuan fajësinë sipas aktakuzës. E pas kësaj u deklarua prokurori i shteti, Ismet Tofaj i cili nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga të akuzuarit, e deklaroi se pranimi i fajësisë nga të akuzuarit ka mbështetje në provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës. I njëjti tha se edhe gjatë fazës së hetimit “kam vlerësuar korrektësinë e të akuzuarve këtu, duke menduar se arma e përdorur nuk paraqet vepër penale”, e prokurori kërkoi nga Gjykata që me rastin e matjes së dënimit të marrë parasysh rrethanat lehtësuese siç i parasheh ligji. Gjyqtari Njazi Morina caktoi të premten si ditë kur do të shpallet vendimi i Gjykatës. Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt. Më pas, kësaj aktakuze iu shtuan edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati. Të pandehurit në festën e Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës./kallxo.com
Gjykata dënon Sami Lushtakun, Dardan Gashin e Endrit Shalën
Ndani këtë artikull