Gjykata e Apelit e ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm për Nuhi Mavrovqanin i cili kishte vrarë gruan e tij më një shufër metalike në shtëpinë e tyre në fshatin Berivojcë të Kamenicës.
Apeli e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 04.12.2020, dhe rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rivendosje.
Mavrovqani ishte dënuar më burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje e rëndë” pasi që gjykata e gjeti fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Sabile Mavrovqani.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore.
Kjo gjykatë ka vlerësuar se nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjedhjes se çështjes juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës se tij.
Nuhi Mavrovqani më 25 korrik të vitit 2020, pas një zënke që kishte nisur në familje, e kishte goditur gruan e tij me një shufër metalike e cila më pas kishte vdekur.
I njëjti e kishte pranuar se e kishte vrarë gruan e tij 34 vjeçare në shtëpinë e tyre, por jo se e kishte kryer krimin me dashje dhe paramendim.
Megjithatë, gjykatësi i rastit kishte vendosur që pranimi i fajësisë nga Mavrovqani të refuzohet me arsyetimin që nuk është pranim i fajësisë sipas aktakuzës.