Gjyjata Kushtetuese ka dalur me njoftim shtesë lidhur me kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, për anulimin e vendimit të qeverisë për orën policore, e cila u vendos dje.
Reagimi i plotë nga Gjykata Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese me njoftim shtesë për kërkesën e Presidentit
Pasi që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për interpetim Kushtetues, ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, gjykata Kushtetuese përmes një njoftimi ka dhënë detaje.
Ky është njoftimi i plotë :
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka pranuar të martën, më 24 mars 2020, në orën 12:03, një kërkesë të parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, shkëlqesia e tij, z. Hashim Thaçi, që për objekt të shqyrtimit ka “vlerësimin e çështjes së përputhshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/15, të datës 23.03.2020, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”.
Përveç kësaj, në kërkesën e parashtruar, Presidenti i Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata që të “vendosë masë të përkohshme ndaj çështjes së ngritur, deri në vendimin përfundimtar”, përmes së cilës do të pezullohej zbatueshmëria e Vendimit të lartcekur të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, Gjykata ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që:
a.) Komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 24 mars 2020, deri në orën 22:00;
b.) Komentet përkitazi me kërkesën në përgjithësi, t’i dorëzojnë në Gjykatë në afat prej tri (3) ditësh nga momenti i pranimit të njoftimit për regjistrimin e kërkesës.
Njoftimi për regjistrimin e kërkesës së parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe për dorëzimin e komenteve tashmë u është dërguar: Zyrës së Kryeministrit të Kosovës; Kryetares së Kuvendit të Kosovës, me kërkesën specifike që kopja e kërkesës t’u dërgohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe Avokatit të Popullit.
Duke pas parasysh situatën ekzistuese në të cilën ndodhet vendi ynë, Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet të lartë.