Gjykata Kushtetuese sot pritet të mbajë seancë publike online për trajtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje që Qeveria Hotit të shpallet antikushtetuese për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i dënuar për korrupsion.
Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti, pas shkarkimit të Qeverisë së Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje.
E për këtë të fundit, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jo-valide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, Arifi mori pjesë në dy seanca të Kuvendit, më 25 mars, duke votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa në seancën e 3 qershorit vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, parti kjo që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen për 50 ditë.
Ndërkaq, gjatë konference pasditen e së martës kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është pyetur për seancën e sotme dëgjimore në Kushtetuese lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosjes rreth kushtetutshmërisë së zgjedhjes së qeverisë që ai drejton.
E për Hoti thotë se nuk shqetësohet nëse rrëzohet qeveria që ai e drejton, por që thekson se hall të vetëm ka menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.