Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri të këtij organi përmes votimit të hapur.
Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 të kësaj gjykate, duke bërë që të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik të shpallen të pavlefshme.
Gjykata ka thënë gjithashtu se kryesuesi i seancës konstituive nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e saj të mëhershëm, për rrjedhojë, veprimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës – procedimi i votimit të kryeparlamentarit.
“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në vendim.
Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive si edhe në votim.
Vendimi i Plotë:
https://www.gjk-ks.org/notifications/details/3337?title=Njoftim+p%C3%ABr+vendim+n%C3%AB+rastin+KO193/25+dhe+KO196/25