Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan, të mërkurën ka liruar nga akuza të akuzuarin Bekim Bajrami, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit.
Ai akuzohej se gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, në kuadër të autorizimeve të tij ligjore, nuk ka përmbushur detyrat zyrtare dhe në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi, duke e dëmtuar Komunën e Gjilanit.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka udhëzuar palën e dëmtuar Komuna e Gjilanit në kontest civil, raporton “Betimi për Drejtësi.
Palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në. Gjykaten e Apelit
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 11 shkurt 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Bajramit, me arsyetimin se gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, në kuadër të autorizimeve të tij ligjore, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.
Aty thuhet se i njëjti ka anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson, Komunës së Gjilanit dhe zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “Livadhet e Arapit1”, ku në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.
Sipas prokurorisë, i akuzuari kishte lëshuar lejet ndërtimore për kompaninë SH.P.K. “City Project-3”, me pronar Fatmir Daku, në të cilën parcelë ishte përcaktuar institucion parashkollor dhe lejen ndërtimore për kompaninë SH.P.K. “Mabb Home”, me pronar Musah Bunjaku, në të cilën parcelë ishte përcaktuar institucion shkollor. Me këto veprime thuhet se iu ka mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve të lartcekur, ndërsa e ka dëmtuar Komunën e Gjilanit.
Me këtë, Bekim Bajrami akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nënparagrafi 3.2 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.