Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve V.K., M.I., B.N., V.K., F.S. dhe M.Z.
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me datën 16 – 17 Shkurt 2021, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, i kanë marrë dhe kanë mbajt nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në një villë në komunën e Novobërdës, të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.
Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “rrëmbimi” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve, për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.