Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të miturit me iniciale E.B., raporton Gazeta Sinjali.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i mitur ka keqpërdorur seksualisht të miturën, e cila për shkak të moshës së saj nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë, e që nënkuptojnë edhe kryerjen e akteve seksuale.
Me këto veprime, gjykata vlerëson se i mituri dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunim”.
“Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake në Departamentin për Mitur, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Viktima e dhunimit seksual ishte raportuar e zhdukur nga prindërit e saj më 9 dhjetor, ndërkaq më 10 dhjetor është kthyer në shtëpi, ku u kishte thënë prindërve se ka qenë në shtëpinë e të dyshuarit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.