Të enjten, Gjykata Themelore në Gjilan, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj zyrtarit të “Eco-Higjiena”, Senad Ramaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendonte se Ramaj, si ish anëtar i Bordit të Kompanisë “Eco-Higjiena”. (fundi i vitit 2012 dhe fillimi i vitit 2013), duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie dhe këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari pretendohet se e kishte bërë duke formuar komisionin për shitjen e aseteve me vendim të falsifikuar dhe pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik.
Sabit Shkodra, zyrtar për Informim pran Gjykatës Themelore të Gjilanit ka konfirmuar se: “ i akuzuari S. R. për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare është liruar nga Gjykata Themelore e Gjilanit”.
“Pas shqyrtimit te gjitha provave, trupi gjykues nuk ka arritur te vërtetojë që i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej dhe sot ka shpallur aktgjykim lirues”, ka thënë Shkodra për 2LONLINE.
Përndryshe, ndaj këtij aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Gjilan, palët e pakënaqura mund të paraqesin ankese në Gjykatë të Apelit në afat prej 15 ditësh, nga momenti i pranimit të këtij vendimi.