Gjykata Themelore në Gjilan, me aktvendim, e ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, me të cilën ish-kryetari i kësaj komune, Qemajl Mustafa, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kjo gjykatë, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ndaj Mustafës.Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar gjykatësi i kësaj çështjeje, njëherësh kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi.Gjykatësi Maliqi, po ashtu njoftoi se seanca e parë e shqyrtimit kryesor, është caktuar të mbahet më 16 prill të këtij viti, ku pritet të administrohen provat e propozuara në aktakuzë.
Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 6 nëntor të vitit 2017, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i ngarkon kjo aktakuzë.Ndryshe, Mustafa për vepra penale të korrupsionit si dhe për krim të organizuar, është duke u gjykuar edhe në Gjykatën Themelore të Pejës, e në të cilin rast janë të përfshirë edhe 38 të akuzuar të tjerë.Edhe për këto vepra penale, ai është deklaruar i pafajshëm dhe nuk ka pranuar fajësinë për asnjë pikë të aktakuzës, të cilën akuzë e ka ngritur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 16 shtator të vitit 2016.
Kurse, sipas aktakuzës, tashmë të konfirmuar, Qemajl Mustafa po akuzohet se duke qenë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, apo shkaktimin e dëmit personit tjetër, ka tejkaluar kompetencat e tij.Mustafa, pretendohet se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që më 23 maj 2012, si kryetar i komunës, në emër të autoritetit kontraktues publik të ish-Kompanisë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Higjiena”, në Gjilan, ka nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko-privat, për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”, me autoritetin kontraktues privat Christian Moser – “Moser Group”, përkatësisht i degës së saj “ECO Vision”, në Gjilan.
Këtë veprim, ish-kryetari i Gjilanit e kishte bërë mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51 % për partneritetin privat dhe 49 % për atë publik, të cilin veprim e kishte bazuar në Ligjin nr.03/L-090 mbi Partneritetin Publiko – Privat.Mirëpo, sipas aktit aktakuzës, Mustafa, këtë e kishte bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, sepse ligji i lartcekur ishte shfuqizuar më 21 tetor të vitit 2011, me nxjerrjen e Ligjit nr.04/L-045, mbi Partneritetin Publiko Privat.Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri si autoritet kontraktues nuk kishte vepruar konform dispozitave ligjore dhe konditave të marrëveshjes mbi partneritetin publiko – privat, përkatësisht për të kërkuar nga autoriteti kontraktues i partneritetit privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizimin e investimeve të zotuara.
Tutje, në aktakuzë thuhet se nuk është përmbushur marrëveshja e investimeve të zotuara për shumën në lartësi prej 1,500,000,00 euro për periudhën gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014, por ka realizuar vetëm investimet në shumë prej 542,243,45 euro, ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957,756,55 euro, gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës.Me këtë rast, i pandehuri Mustafa duke mos ndërmarrë masat e parapara me ligj si dhe duke mos shfrytëzuar as të drejtën sipas nenit 16 të kësaj marrëveshje për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneriteti tjetër privat si dhe duke neglizhuar të paraqes raportet vjetore rreth këtij partneriteti publiko-priva, i ka shkaktuar dëm material partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.