Monumenti i Gazimestanit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, çdo 28 qershor bëhet vendi më i frekuentuar nga serbët e Kosovës, të cilët shënojnë festën e Vidovdanit, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.
Më 10 qershor të vitit të kaluar, Komuna e Graçanicës kishte marrë vendim që kjo festë të shënohet dhe festohet me simbole dhe flamuj të shtetit serb, të cilin e kishte dorëzuar në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë.
Dy ditë më vonë, më 12 qershor, MAPL e kishte përcjellë këtë kërkesë në Ministri të Punëve të Brendshme për vlerësim të ligjshmërisë.
MPB pas vlerësimit të aktit me datë 24.06.2024 ka kthyer përgjigjen në Komunë dhe në MAPL, duke thënë se “28 Qershori (Vidovdani) nuk është e përcaktuar si festë zyrtare apo memoriale në Republikën e Kosovës”, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e këtij vendimi komunal:
“Kuvendi i Komunës së Graçanicës, nuk e kishte rishqyrtuar vendimin dhe nuk kishte vepruar sipas kërkesës së MPB-së”.
Kështu, më 31 korrik të 2024-tës, MAPL ka paditur Komunën e Graçanicës duke kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, që të anulojë vendimin e komunës në fjalë.
Kësaj gjykate iu deshën 11 muaj që të marrë vendim për këtë rast.
Në aktvendimin e nxjerrë më 9 qershor të këtij viti, të cilin e ka siguruar Klan Kosova, gjyqtari i cili trajtoi këtë rast, Kreshnik Kaçiu, ka marrë vendim që të aprovojë në tërësi padinë e MAPL-së dhe të anulojë vendimin e Komunës së Graçanicës, duke shtuar se “ky Aktgjykim e zëvendëson aktin e anuluar dhe ka karakter detyrues”.
Në arsyetim, Gjykata ka thënë se sipas Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, “vetëm Qeveria në bashkëpunim me Presidentin e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë ditët memoriale nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb. Komunat nuk kanë kompetencë të shpallin ditë feste të veçanta me ndikim publik, që përfshijnë përdorimin e simboleve shtetërore apo kombëtare në hapësirat publike”.