Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, ka marrë vendim që t’i rikthejë në paraburgim pesë zyrtarët policorë të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” ndaj të ndjerit Agon Zejnullahu, 27-vjeçar nga Kosova.
Vendimi është marrë pas kthimit të çështjes në rivendosje nga Gjykata e Apelit, e cila kishte kërkuar rishqyrtim të caktimit të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri të mbahen në paraburgim për një muaj.
“Caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, e cila masë do t’iu llogaritet prej datës së ndalimit 07.07.2025 deri më datën 06.08.2025”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Benita Berisha, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe dëgjimit të palëve.
“Në rastin konkret ka arsye të mjaftueshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimit”, thuhet më tej në vendim.
Pesë zyrtarët policorë dyshohen se kanë vepruar me pakujdesi gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën më 7 korrik 2025. Rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe po përcillet me vëmendje të madhe nga institucionet dhe shoqëria civile.