Eksperti financiar Riza Blakaj, në shqyrtimin kryesor që po zhvillohet ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemjal Mustafa, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka deklaruar se nxjerrja e një shifre financiare mbi lartësinë e dëmit që pretendohet t’i jetë shkaktuar ndërmarrjes publike “Higjiena”, me rastin e lidhjes së marrëveshjes së partneritetit publiko-privat, me ndërmarrjen private “ECO Vision”, për të është e pamundur.
“Nxjerrja e një shifre financiare mbi lartësinë e dëmit për mua është e pamundshme”, tha eksperti financiar, Riza Blakaj, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Mirëpo, sipas tij, nuk është përfill zotimi i marrë me atë marrëveshje nga ana e partnerit privat “ECO Vision” për realizimin e investimeve të zotuara për shumën prej 1, 500, 000.00 eurosh për periudhën 2012, 2013, 2014.
Ai ka thënë se partneri privat, kishte realizuar vetëm investimet në lartësi prej 542.243,45 euro, ndërsa nuk kishte përmbushur shumën e investimeve prej 957, 756.55 euro.
Këto deklarata, eksperti Blakaj, i ka dhënë derisa është përgjigjur në pyetjet e parashtruar nga ana e prokurorit Shaban Spahiu dhe të akuzuarit Qemajl Mustafa, i cili përfaqësohet nga avokati mbrojtës i tij, Ismet Shufta.
“Unë nuk mund të konstatoj se a është dasht dhe a nuk është dasht pëlqimi i Qeverisë për lidhjen e këtij partneritetit, sepse kjo është e paraparë me nenin 17 të Marrëveshjes së Partneritetit Publiko-Privat. Mirëpo, mjetet qarkulluese më pak se që kanë qenë të parapara me marrëveshje dhe sa i përket vërtetimit të gjendjes së fitimit të humbur apo gjendjes së shkaktuar me ekspertizë e kam vërtetu se edhe tani është një gjendje që mund të imagjinohet e jo të vërtetohet”, shtoi eksperti Blakaj.
Ai shtoi se kishte zhvilluar ekspertizën e tij vetëm duke u bazuar në vendimin e prokurorisë për dhënien e ekspertizës dhe se lidhur me insistimet dhe pyetjet e avokatit mbrojtës Shufta, se ekspertiza do të duhej të kishte mbështetje në interpretimet e ligjeve, ai tha se gjykata le të merret me atë pjesë.
“Ekspertizën e kam punu në bazë të aktvendimit për angazhimin e ekspertit të marrë nga Prokuroria e Shtetit. Kam qenë disa herë në zyrat e “Eco Higjienës”, ku i kam siguru të dhënat mbi bazën e të cilave e kam konceptuar edhe ekspertizën. Theksoj se lidhur me rastin i kam shtjerrë të gjitha mundësitë për tu bazuar në ndonjë dokument tjetër”, tha eksperti Blakaj.
Në pyetjen e avokatit Shufta, se a konsideron se marrëveshja ishte lidhur në kundërshtim të Ligjit të atëhershëm nr. 03/L-090, meqë marrëveshja ishte nënshkruar pasi që kishte hy në fuqi ligji i ri nr. 04/L-045, eksperti tha se nuk e ka dhënë një konstatim të tillë.
Ndërkaq, eksperti Blakaj, ka refuzuar që të bëjë leximin e dispozitave kalimtare të ligjit të vjetër se çfarë thonë ato lidhur me marrëveshjet e iniciuara para se të hyjë ligji i ri ë fuqi.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Naser Maliqi, se kush ishte dashur ta përcjell këtë partneritet publiko- privat, eksperti u përgjigj se “nga dokumentacioni që e kam pas unë gjatë ekspertizës kam pa se kanë ekzistu pjesëtarë të komisioneve nga të dy palët që kanë pas për detyrim zbatimin e marrëveshjes”.
Blakaj tha se mbetet në tërësi pranë të gjitha pikave të konkluzave të nxjerra në ekspertizë.
Seanca vazhdoi me leximin dhe administrimin e provave.
Pas një konsultimi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Maliqi, mori vendim që të refuzohet propozimi i prokurorit Spahiu për super ekspertizë financiare sepse një ekspertizë financiare nuk mund të konstatojë gjendjen e një subjekti ekonomik nën supozimin se po të ishin investuar edhe pjesa tjetër e mjeteve të zotuara ndërmarrja do të kishte fitim apo humbje.
Sipas tij, afarizmi i një ndërmarrje mund të vlerësohet për në të kaluarën e jo në të ardhmen duke u bazuar në supozime.
Ndërkaq, avokati mbrojtës Ismet Shufta, tha se sa i përket propozimit të prokurorit që ka të bëjë me dëmin material, i cili sipas avokatit, nuk është konstatuar nga eksperti financiar, mbrojtja konsideron se eksperti edhe në ekspertizën e parë nuk kishte gjetur që ka dëm material.
“Po të kishte pas dëm material me siguri do ta kishte konstatuar në ekspertizën dhe se sot prapë përgjigja e tij ishte qe nuk ka mund të konstatoj ndonjë dëm material, por ashtu siç tha, ai ka konstatuar një dëm në profitabilitetin e ndërmarrjes”, tha avokati Shufta.
Sipas tij, gjithashtu ligji penal nuk e sanksionon çështjen e profitabilitetit, por vetëm humbjen, gjegjësisht dëmin material.
Trupi gjykues me aktvendim vendosi që seanca e sotme të ndërpritej pasi që prokurori i rastit Shaban Spahiu kishte një seance tjetër të caktuar me paraburgim.
Seanca e radhës, është caktuar të mbahet më 16 korrik 2018, duke filluar nga ora 13:00, ku mbrojtjen pritet ta jep i akuzuari Qemajl Mustafa.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 6 nëntor të vitit 2017, ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i ngarkon kjo aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Qemajl Mustafa po akuzohet se duke qenë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, apo shkaktimin e dëmit personit tjetër, ka tejkaluar kompetencat e tij.
Mustafa, pretendohet se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që më 23 maj 2012, si kryetar i komunës, në emër të autoritetit kontraktues publik të ish-Kompanisë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Higjiena”, në Gjilan, ka nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko-privat, për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”, me autoritetin kontraktues privat Christian Moser – “Moser Group”, përkatësisht i degës së saj “ECO Vision”, në Gjilan.
Këtë veprim, ish-kryetari i Gjilanit e kishte bërë mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51 % për partneritetin privat dhe 49 % për atë publik, të cilin veprim e kishte bazuar në Ligjin nr.03/L-090 mbi Partneritetin Publiko – Privat.
Mirëpo, sipas aktit aktakuzës, Mustafa, këtë e kishte bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, sepse ligji i lartcekur ishte shfuqizuar më 21 tetor të vitit 2011, me nxjerrjen e Ligjit nr.04/L-045, mbi Partneritetin Publiko Privat.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri si autoritet kontraktues nuk kishte vepruar konform dispozitave ligjore dhe konditave të marrëveshjes mbi partneritetin publiko – privat, përkatësisht për të kërkuar nga autoriteti kontraktues i partneritetit privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizimin e investimeve të zotuara.
Tutje, në aktakuzë thuhet se nuk është përmbushur marrëveshja e investimeve të zotuara për shumën në lartësi prej 1,500,000,00 euro për periudhën gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014, por ka realizuar vetëm investimet në shumë prej 542,243,45 euro, ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957,756,55 euro, gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës.
Me këtë rast, i pandehuri Mustafa duke mos ndërmarrë masat e parapara me ligj si dhe duke mos shfrytëzuar as të drejtën sipas nenit 16 të kësaj marrëveshje për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneriteti tjetër privat si dhe duke neglizhuar të paraqes raportet vjetore rreth këtij partneriteti publiko-priva, i ka shkaktuar dëm material partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.
Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Gjilanit
Ndani këtë artikull