Vizita e ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boshkoviq në Prishtinë paraqet bazë për përmirësimin e ardhshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes në mes Malit të Zi dhe Kosovës.
‘Spuntiku’ serb këtë vizitë po e cilëson si provokim të ri ndaj Serbisë nga ana e Malit të Zi, prej kur ky shtet e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Përpos takimit me ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, Boshkoviq pati takim edhe me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi. Boshkoviq deklaroi se qëllimi i vizitës së tij ishte për të treguar se Mali i Zi është një mik i sinqertë i Kosovës mirëpo nuk ka dashur të komentojë drejtpërdrejtë çështjen e transformimit të FSK-së në ushtri. Duke theksuar se kjo është një çështje e brendshme e Kosovës, ai ka thënë se Mali i Zi i respekton të gjitha vendimet e shteteve sovrane.
Pas këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin i cili u shpreh se mbështetja e Malit të Zi ndaj Kosovës minon besimin e serbëve në KFOR, transmeton lajmi.net.
Analisti serb, Igor Damjanoviq duke e komentuar vizitën e ministrit malazez në Kosovë ka thënë për ‘Spuntik’ se është shkaktuar pakënaqësi në shumicën e qytetarëve të Malit të Zi.
“Të gjitha janë shkaktuar pas njohjes së shtetit të rremë të Kosovës, votave për pranimin e Kosovës në UNESCO, votimin kundër interesave të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vizitës zyrtare të kryeministrit malazez vetëm në ditën e shtetësisë serbe dhe së fundi vizitës së ministrit të Mbrojtjes malazeze në Kosovë”, është shprehur Damjanoviq.
Në këtë drejtim, analisti serb e ka cilësuar vizitën e Boshkoviqit si një ‘provokim të ri dhe armiqësi të hapur nga regjimi i Milo Gjukanoviqit ndaj Serbisë’.
“Unë nuk mendoj se nga ky premtim për bashkëpunim do të dalin rezultate pasi Mali i Zi nuk ka kapacitet për të investuar seriozisht në departamentin e Mbrojtjes në Kosovë. Megjithatë, deklaratat e Boshkoviqit janë armiqësore edhe pse Amerika po tenton që në kundërshtim me Rezolutën 1244 të krijojë një ushtri të Kosovës”, ka deklaruar Damjanoviq.
Ai ka shtuar se akti armiqësor i ministrit Boshkoviq ndaj shtetit të Serbisë është thellë i rrënjosur para së gjithash në interesat strategjike të Malit të Zi.
“Mendoj se kjo ka nisur nga lobi euroatlantik, në të njëjtën mënyrë si futja e sanksioneve kundër Federatës Ruse ose dëbimit të diplomatëve rusë”, ka përfunduar analisti serb.