Skuadra e Dritës ka pësuar një humbje të rëndësishme në prag të sfidave të radhës në garat evropiane. Qendërmbrojtësi kolumbian, Juan Camilo Mesa, ka këputur ligamentet gjatë një seance stërvitore dhe pritet të mungojë për disa muaj.
Ky zhvillim përbën një shqetësim të madh për stafin teknik të klubit nga Gjilani, pasi Mesa ishte një ndër lojtarët kyç në organizimin e fazës defensive.
Në mungesë të tij, trajneri pritet të rikthejë në qendër të mbrojtjes Raddy Ovouka, ndërsa në krahun e majtë të vijës mbrojtëse do të operojë Blerton Sheji – i cili pati paraqitje shumë të mirë ndaj FC Copenhagen në Prishtinë.
Klubi nuk ka dhënë ende një afat të saktë për rikthimin e Mesas, por dëmtimi i ligamentit sugjeron një mungesë afatgjatë në fushat e blerta.