Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Nexhmije Gori, ka treguar se vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Oda ka lëshuar 286 licenca për infermierë, certifikata që u shërbejnë atyre për punësim jashtë vendit.
Sipas Gorit, numri i infermierëve që po e lënë vendin është rritur shumë, veçanërisht në dy vitet e fundit e nëse vazhdohet me këtë trend, vendi rrezikon të mbesë pa infermierë. Madje, ajo ka thënë se shumë të rinj kalojnë posaçërisht në infermieri, nga një profesion tjetër, si rruga më e shpejtë e tyre për të ikur nga vendi.
“Ka pasur rritje vit pas viti, por përmasa të mëdha ka marrë në vitin 2022 dhe 2023. Këtë vit, kemi lëshuar 286 licenca për gjashtë mujorin e parë. Kjo e jep një numër të qartë për të gjithë infermierët të cilët e kanë lëshuar vendin”.
“Shumë të rinj po e ndërrojnë profesionin dhe po kalojnë në infermieri sepse e kanë gjetur këtë si rrugën më të shkurtër për të mbërri deri në vendet e rajonit apo edhe më gjerë. Trendi qysh ka filluar dhe po vazhdon, në një të ardhme të afërt, vendi jonë do të ketë mungesa për kuadro të tilla. Shpresoj që të bëhet një zgjidhje”, ka thënë Gori.
Gori ka thënë se me Ligjin e Pagave kanë pritur që infermierëve t’u rriten pagat, të kategorizohen “aty ku e meritojnë” dhe t’u paguhen ndërrimet e natës.
“Pagesat nuk janë të dinjitetshme, nuk ka fare ngritje. Kur flasim për ndërrimet e natës, ato nuk kanë lëvizur. Me ndërrimin e kontratës kolektive është larguar edhe shujta, që në fund i bie se ata paguhen njëjtë si para, si pas Ligjit të Pagave”, ka thënë ajo për EO.
Për ankesat e infermierëve, ka folur Leonora Bakija, nënkryetare e OIK-ut dhe kryeinfermiere e QKMF-së në Gjakovë.
Ajo ka thënë se ankesat kryesore të infermierëve janë kategorizimi jo i drejtë në Ligjin e ri të Pagave, pagesa e kujdestarive, pagesa e punës në terren dhe për punët më ndjeshmëri më të lartë.
“Po flas në cilësinë e kryeinfermieres, duke i ditur nga afër ankesat dhe problemet që i kanë infermierët. Kryesisht ajo që është brengë më e madhe për ta është kategorizimi jo i drejtë në Ligjin e ri të Pagave, e po ashtu edhe pagesa e kujdestarive”.
Ajo ka thënë se infermierët janë të diskriminuar nga pagat e kujdestarive në krahasim me profesionistët tjerë shëndetësor, të cilëve u paguhet kujdestaria.
“Infermierët janë të diskriminuar nga pagat e kujdestarive në krahasim me profesionistët tjerë shëndetësor. Si shembull, në institucione shëndetësore ata punojnë si ekip, mjeku paguhet me përqindje më të lartë ndërsa infermieri nuk paguhet. Gjithashtu, puna në terren është e rëndësishme të paguhet dhe punët më të ndjeshme, siç janë intensiva dhe rrezikshmëria në punë, as ato nuk paguhen. Kështu që Oda vazhdimisht bën ankesa dhe kërkesa për rregullimin e këtyre çështjeve”, ka thënë Bakija.