Federata e Futbollit të Kosovës sot gjatë ditës njoftoi se nënshkrimet e delegatëve të kandidatit Gramoz Vokrri nuk janë verifikuar, shkruan Insajderi.org.
Për këtë çështje, një prononcim për Insajderin Gramoz Vokrri deklaroi se këtë e sheh si tendencë për me eliminuar me çdo kusht çdo lloj konkurrence.
Ai tutje theksoi se nuk është i njoftuar zyrtarisht ende nga FFK’ja për këtë çështje.
“Nënshkrimet e mia kanë qenë publike, dihet kush janë delegatë, janë njerëz të gjallë, përkundër kësaj unë kurrfarë njoftimi zyrtar nga FFK’sa nuk kam marrë, mbetet për t’u parë, kjo po më doket si tendencë me eliminuar me çdo kusht çdo lloj konkurrence”.
Sipas FFK-së, nënshkrimet e delegatëve të klubeve (FC Prishtina, KF Kika dhe KF Ulpiana) nuk janë valid.
Kështu kryetari aktual Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm edhe për një mandat tjetër në krye të shtëpisë së futbollit kosovar.
Kujtojmë se, më 2 mars, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së shpalli zgjedhjet për kryetar të cilat do të mbahen më 6 prill.
Ndryshe, në garë për të parin e FFK’së ishin edhe Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti të cilët u tërhoqën për ta mbështetur kandidaturën e Gramoz Vokrrit.
Gramozi, është djali i legjendës së ndjerë Fadil Vokrri.