Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kundërshtimin e kompanisë Grande Calabria SH.P.K. dhe ka shfuqizuar masën e përkohshme të sigurisë, e cila më herët kishte ndaluar organizimin e shpalljes së fituesit të çmimit kryesor në lojën shpërblyese “Blej në Grande Mall dhe fito”.
Sipas aktvendimit të datës 17 korrik 2026, gjykata ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së përkohshme të sigurisë, duke vlerësuar se pala propozuese nuk ka arritur ta bëjë të besueshme të drejtën subjektive që pretendonte dhe se nuk ekzistonte rreziku ligjor për mbajtjen në fuqi të kësaj mase.
Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se, pas shqyrtimit të provave materiale dhe dëgjimit të palëve, gjykata ka vlerësuar se rregullorja e lojës shpërblyese përmbante rregulla të qarta të pjesëmarrjes, ndërsa pjesëmarrja e stafit të Grande Mall dhe të dyqaneve brenda qendrës tregtare ishte e ndaluar, çka sipas gjykatës tregon se organizatori kishte paraparë kufizime të qarta për garantimin e korrektësisë së procesit.
Me këtë vendim është shfuqizuar aktvendimi i mëparshëm i datës 7 korrik 2026, me të cilin ishte vendosur masa e përkohshme e sigurisë dhe ishte ndaluar përkohësisht organizimi i shpalljes së fituesit të veturës Citroën C3, çmimi kryesor i lojës shpërblyese.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh nga pranimi i vendimit./Radio Star/



