Grantet dhe subvencionimi i kamatave të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë lokale në Gjilan dhe komunat tjera
Sikurse shumica e ministrive edhe komunat, duhet të ndajnë grante për zhvillimin e bizneseve në sektorë të ndryshëm, e me theks të veçantë në prodhim dhe përpunim.
Komunat si: Gjilani, Ferizaj, Peja, Prizreni, Mitrovica etj, mund të kenë fondin për grante deri në 250.000 euro, kurse komunat tjera më të vogla deri 100.000 euro, të cilat fonde për fillim do të jenë të mjaftueshme, me mundësi të rritjes pas çdo viti të shumës për këto fonde. Ky fond, duhet të parashikohet në buxhetet e drejtorive për Zhvillim Ekonomik.
1. Fondi prej 250.000 euro të ndahet në dy Lote:
Loti 1: Tregtare – Shërbyese – 35 biznese me nga 3000.00 euro
Loti 2: Prodhuese – Përpunuese – 29 biznese me nga 5000.00 euro
2. Fondi prej 100.000 euro të ndahet në dy Lote:
Loti 1: Tregtare – Shërbyese – 30 biznese me nga 2000.00 euro
Loti 2: Prodhuese – Përpunuese – 10 biznese me nga 5000.00 euro
Këto grante, do të ndikojnë sado pak në përmirësimin e punës dhe kushteve të N.V.M në Kosovë. Ku një nga kriteret e këtyre granteve do të ishte që, bizneset që kanë fituar grante qeveritare të përjashtohen. Në disa komuna të Kosovës kanë filluar të japin grante të tilla.
Gjithashtu edhe subvencionimi i kamatës së kredisë për biznese, duhet të aprovohet nga komunat, të cilat nuk e kanë një vendim të tillë, kurse ato që e kanë një vendim të tillë vetëm të fillojnë së zbatuari, vendimet e më hershme. Bizneset të cilat do të jenë fituese të granteve, do të ishin të përjashtuara nga programi për subvencionimin e kamatës së kredisë në biznes.
Me këta hapa të vegjël të ndërmarrë nga të gjitha Komunat e Kosovës, do të fillohet të ruhet punësimi dhe shtimi i tij, si dhe të gjitha N.V.M do të krijonin qëndrueshmëri për ta zhvilluar veprimtarinë duke e mbajtur trendin me të tjerët. Hapa të nevojshëm për ndihmë të bizneseve.
Burim Berisha