Greqia mund ta njohë Kosovën për disa arsye, po ia kërkoi këtë Uashingtoni, shkruan Sputnjiku prorus sot, kur bëhet prezantimi i Strategjisë së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, transmeton Koha.net. Ky medium si arsye kryesore të kësaj kthese përmend atë ekonomik, nga presionet që vijnë nga BE dhe Gjermania.
Arsye tjetër serioze, po sipas Sputnjikut, është ai i sigurisë, për shkak të aspiratave të shqiptarëve, por edhe të turqve, ndaj territoreve greke. Ky portal citon fjalët e Dushan Janjiqit nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, i cili ka thënë se në negociatat rreth emrit të Maqedonisë është edhe çështja e njohjes së Kosovës.
Janjiq, sipas këtij burimi, ka përmendur se për presidentin amerikan Trump një nga prioritetet është forcimi i Amerikës në Ballkan dhe largimi i Rusisë dhe është e sigurt se NATO do të përfshihet në këtë rol, transmeton Koha.net.