Kanë tre muaj që s’kanë marrë pagë disa punonjës teknikë të gjimnazit dhe shkollës teknike në Gjilan. Janë bërë lloj-lloj praktikash të ofrimit të shërbimeve teknike e të sigurisë, duke u kontraktuar edhe kompani private, ndërmjetësime kontraktuese etj.
Shkruan: Flurim Arifi
Në arsimin parauniversitar – gjimnaz të Gjilanit, si dhe në shkollën teknike ka dy javë që mbahen greva të punonjësve teknikë, për shkak se nuk janë paguar qe tre muaj. Kjo grevë e tyre nuk ka nxitur menaxhmentin aktual komunal, që t’u qëndrojë afër dhe t’i merr parasysh brengat e tyre.
Pavarësisht se kush ka përgjegjësinë direkte të pagesave mujore, kontraktimit me kompani private apo jo, komuna duhet të jetë pranë dhe t’i mbështesë kërkesat e drejta të punonjësve teknikë.
Punë të madhe kryejnë këta punëtorë dhe shkollat mbesin shumë keq pa ndihmën e tyre. Prandaj, efikasiteti i shërbimeve në shkolla bie, dhe si rezultat i saj, duhet komuna që të ndihmojë dhe ndërmjetësojë në zgjidhjen e këtij problemi.
Me rëndësi është që kërkesat e punonjësve teknikë janë të drejta dhe vetëm duhet të dëgjohet halli i tyre.
Në vend se një kryetar komune të merret për çdo javë apo edhe më shpesh, me problemet e nivelit qendror, do të duhej të merrej për punën që iu ka besuar: punët në Komunën e Gjilanit. Kryetari i Komunës duhet të zhvendoset nga studiot e këtij apo atij televizioni qendror, e të merret me problemet e komunës.
Është më se e vlefshme që të dëgjohen brengat e qytetarëve pa dallim në komunë, e jo të kalohet aq shumë kohë dhe energji, me temat shtetërore, të cilat mund t’i kryejnë edhe presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri i vendit me aq shumë ministra e zëvendësministra.
Sot unë i them: Po realizimit të kërkesave të drejta të punonjësve teknikë në shkollat e Gjilanit!
Sot unë i them: Keni përkrahjen time të parezervë, në cilësinë e një opozitari dhe alternative së shpejti edhe për Gjilanin!