Prej datës 17 dhjetor të vitit 2018 në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë anuluar mbi dymijë operime efektive (jourgjente) për shkak të grevës së personelit mjekësor. Përfaqësuesi i Kolegjiumit të Kirurgëve, Arbër Morina, ka thënë për Zërin se në ditë ata anulojnë deri në 200 operacione. Për më shumë, ai ka thënë se tashmë grevës së kirurgëve po u bashkëngjiten edhe klinikat tjera.
“Kanë hyrë në grevë edhe mjekët e Kirurgjisë Vaskulare. Greva po vazhdon me të njëjtin intensitet, me të njëjtin ritëm dhe ne po bëhemi edhe më të mëdhenj”, ka deklaruar Morina. Ai ditë më parë kishte bërë të ditur se grevës u ishin bashkuar edhe ortopedët në QKUK.
Më tej Morina ka thënë se do të vazhdojnë me grevë sikurse kanë vazhduar deri tani.
“Kërkesa jonë është e drejtë dhe e qartë. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, ne po kërkojmë atë që na takon dhe ne po vazhdojmë me të njëjtin sistem”, ka thënë ai, duke shtuar se deri tani nuk kanë pasur ndonjë tendencë për të bashkëbiseduar me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me grevën.