Komiteti për Gripin Sezonal në nivel të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt në të cilën është analizuar situata e fundit me gripin sezonal.
U konstatua një rast i vdekur me influencë A, ndërsa u th se pacienti ka pasur sëmundje kronike përcjellëse.
“Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike deri më 22 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 661 mostra të dyshimta me influencë, prej tyre 240 raste rezultojnë pozitive në influencën e tipit A”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.
SHSKUK-ja rikujton se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës konstatojnë se kemi të bëjmë me epidemi të gripi sezonal.
Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.
“Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e rekomandojmë që të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) ku fëmijët dhe nxënësit kanë shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut”, thotë SHSKUK.
Instituti Kombëtar dhe SHSKUK përsërisin rekomandimet për qytetarët që të kenë kujdes mos të dalin në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.