Një gropë e madhe dhe e rrezikshme në rrugën përballë stacionit të zjarrfikësve po përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe këmbësorëve, veçanërisht në këtë zonë të frekuentuar të qytetit.
Megjithëse ndodhet në një vend strategjik, pranë institucioneve dhe bizneseve të ndryshme, gropa prej kohësh është lënë pa asnjë ndërhyrje, duke nxjerrë në pah mungesën e reagimit nga ana e organeve komunale. Siç dëshmohet edhe në fotografi, kjo situatë pasqyron qartë një neglizhencë të vazhdueshme ndaj infrastrukturës rrugore dhe sigurisë publike.
Banorët e zonës dhe kalimtarët shprehin shqetësimin se kjo problematikë jo vetëm dëmton automjetet, por përbën rrezik të drejtpërdrejtë për këmbësorët në veçanti për fëmijët dhe të moshuarit.
Në një kohë kur prioritetet institucionale pritet të përqendrohen te përmirësimi i kushteve të jetesës dhe garantimi i sigurisë për qytetarët, neglizhenca ndaj një çështjeje kaq elementare, siç është riparimi i një grope në rrugë, bëhet tregues i qartë i mungesës së përkushtimit.
Qytetarët bëjnë thirrje që Komuna të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun që paraqet kjo gropë, përpara se të ndodhë ndonjë incident i rëndë. Rrjetet rrugore të sigurta nuk janë privilegj janë nevojë e domosdoshme për të gjithë!