Deputeti i zgjedhur nga radhët e PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kapje të institucioneve dhe shpërfillje të rendit kushtetues.
Në një postim në Facebook, Gruda ka thënë se Kosova po përballet me bllokadë institucionale për shkak të qasjes së një partie që, sipas tij, po tenton të imponojë vullnetin e liderit të saj mbi Kushtetutën, shkruan Insajderi.
“Kushtetuta i jep të drejtë partisë më të madhe për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e detyron askënd ta votojë atë. Nëse do të ishte ndryshe, Kushtetuta do të kishte parashikuar që kryetari të emërohej nga partia më e madhe, pa procedurë votimi. Për më tepër, kërkesa që deputetët të votojnë domosdoshmërisht Albulena Haxhiun është krejtësisht e palogjikshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë parlamentare, sepse deputetët nuk janë noterë të vendimeve të një partie të vetme, ata përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe kanë të drejtë të votojnë sipas bindjes së tyre”, ka theksuar Gruda.
Ai ka shtuar se kjo qasje e Lëvizjes Vetëvendosje tregon mungesë të theksuar respekti për rendin kushtetues dhe demokracinë.
“Kjo qasje krejtësisht e pakuptimtë e LVV-së tregon qartë mungesën e respektit që ka kjo parti për Kushtetutën dhe parimet themelore të rendit demokratik. Për LVV-në, Kushtetuta është e dobishme vetëm atëherë kur u shërben interesave të tyre partiake, ndërsa në çdo rast tjetër përpiqen ta interpretojnë ose ta injorojnë sipas tekeve politike”, ka shkruar ai.
Në përfundim të reagimit të tij, Gruda ka thënë se Kosova është duke u përballur me një përpjekje për të zëvendësuar rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të LVV-së.
“Për partitë populiste siç është LVV, Kushtetuta dhe vullneti i lirë politik i deputetëve nuk janë vlera që duhet mbrojtur, por pengesa që duhen kapërcyer për të realizuar qëllimet e tyre politike. Prandaj, sot Kosova po përballet me bllokada institucionale: një parti ka marrë peng institucionet dhe po tenton të zëvendësojë rendin kushtetues me vullnetin arbitrar të liderit të saj”, ka përfunduar Gruda.