Grupi Parlamentar Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, kërkon nga Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Ignazio Cassis, njëherësh, udhëheqës i Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës, që të përkrahë pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës
Pas vizitës së Grupit të Miqësisë Kosovë-Zvicër në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryesuar nga deputetja Jeta Statovci, Kryetare e Grupit të miqësisë me Zvicrën në Kuvendin e Kosovës, në përbërje të deputetëve, Valentina Bunjaku Rexhepi, Time Kadrijaj, Enis Kervan dhe Pal Lekaj anëtarë dhe takimit të Grupeve homologe të mbajtur me datë 29 mars 2022 në Zurich, Zvicër. Bashkë kryesuesit e Grupit Parlamentar Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, përmes një letre zyrtare kanë kërkuar nga Presidenti i Konfederatës së Zvicrës, Ignazio Cassis, njëherësh, Udhëheqës i Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës, që të përkrahë pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Deputetët anëtarë të Grupit parlamentar të miqësisë Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, në letrën e tyre, kanë kujtuar faktin se Zvicra është ndër shtetet e para që publikisht e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Më 3 mars, 2022, Parlamenti i Republikës së Kosovës kaloi një rezolutë duke kërkuar nga Qeveria të kërkojë pranimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës. Zvicra ishte ndër shtetet e para që e ka njohur publikisht pavarësinë e Kosovës. Zvicra është anëtare e vlefshme e Këshillit të Evropës që nga viti 1963. Më 29 mars, Grupi i Miqësisë Zvicër-Kosovë kishte mundësinë të diskutonte çështjen me grupin simotër nga Kosova. Të gjitha palët, si në Qeveri ashtu edhe në opozitë, qartë shprehën dëshirën që Zvicra ta përkrahë Kosovën të pranohet në këta mekanizma ndërkombëtar”, thuhet në letrën, nënshkrues të së cilës janë 14 deputetë të Parlamentit të Zvicrës.
Të njëjtit i kanë kërkuar Presidentit zviceran që të marrë parasysh kërkesën e tyre dhe të ofrojë përkrahjen për Kosovën.
“Jemi të bindur se është koha e duhur që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës”, thuhet tutje në letrën e nënshkruar nga bashkë kryesuesit, Doris Fiala, Bashkë-Kryetare, Stefanie Heimgartner, Bashkë-Kryetare, dhe Cédric Wermuth, Bashkë-Kryetare e Grupit të Miqësisë Zvicër- Kosovë në Parlamentin e Zvicrës
Zgjedhja e Presidentit dhe Zëvendëpresidentit Federal në Zvicër bëhet me rotacion: për çdo vit, deputetët e dy dhomave, votojnë kandidatin për këtë President, i cili vjen nga Këshilli Federal. Cassis, aktualisht rolin e “të parit ndër të parët” për një vit, duke mbajtur resorin që drejton në qeveri.