Këtë të mërkurë, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka shqiptuar dënimin me 4 vjet e gjysmë burgim për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.
Dënimi, sipas kryetarit të këtij grupi, Charles Smith, u bë në emër të popullit të Kosovës, ndërsa bazë e këtij dënimi ishin akuzat me të cilat akuzoheshin Gucati e Haradinaj.
Trupi Gjykues i shpalli Gucatin e Haradinajn fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Këto janë shkelje të Kodit Penal të Kosovës (KPK) dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji). Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm lidhur me hakmarrjen. Trupi Gjykues dënoi secilin prej të akuzuarve me burgim katër vjet e gjysmë, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe me gjobë 100 euro”, thuhet në Aktgjykimin e dërguar për media nga Dhomat e Specializuara, transmeton Klankosova.tv..
Gjatë shqiptimit të Aktgjykimit, Trupi Gjykues theksoi se kjo çështje ka të bëjë me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e proceseve gjyqësore dhe sigurinë, mirëqenien dhe çlirimin nga frika të qindra personave, të cilët janë paraqitur për të përmbushur detyrën e tyre qytetare si dëshmitarë.
“Trupi Gjykues konstatoi se në shtator 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj, në tri konferenca për shtyp, në më shumë se njëzetë paraqitje në media të tjera dhe përmes postimeve në mediat sociale zbuluan informacion konfidencial të hetimeve dhe punës së brendshme të Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ky ishte informacion i mbrojtur me ligj që përmbante emrat e qindra dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm Të akuzuarit e zbuluan këtë informacion duke treguar dokumentet që e përmbanin atë informacion, duke i lejuar të tjerët të këqyrnin, filmonin, fotografonin kopjonin ose merrnin me vete dokumentet dhe duke përshkruar publikisht përmbajtjen e dokumenteve”.
“Krahas këtyre veprimeve, Trupi Gjykues konstatoi se të akuzuarit publikisht i quajtën dëshmitarët “tradhtarë”, “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “shqipfolsa”. Të bëra në kontekstin e një atmosfere të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, Trupi Gjykues konstatoi se synimi i komenteve të të akuzuarve ishte për t’i frikësuar dëshmitarët dhe dëshmitarët e mundshëm dhe rrjedhimisht për t’i bërë që të ngurronin të jepnin informacion për hetimet e ZPS-së lidhur me ish-anëtarë të UÇK-në”.
“Trupi Gjykues gjithashtu konstatoi se “[s]jellja e të akuzuarve ishte mjeti që shërbente për një qëllim: për të penguar hetimet dhe ndjekjet penale të efektshme të ish-anëtarëve të UÇK-së nga ZPS-ja”, thuhet në Aktgjykim, përcjell Klankosova.tv.
Përmbledhjen më të detajuar të Aktgjykimit mund ta gjeni në këtë LINK