Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Driton Gashit ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, kurse janë liruar nga akuza Valon Krasniqi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, të cilët akuzoheshin për korrupsion në rastin e njohur si “Gylenistët”.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues gjykatësi, gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndaj ish-shefit të AKI-së Driton Gashit, Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 4 vite pas mbajtjes se dënimit me burgim.
Ndërsa, të akuzuarit Valon Ramadani dhe Rrahman Sylejmani lirohen nga akuza pasi që nuk është provuar se te njëjtit kanë kryer veprat penale që ju vihen në barrë.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Gashi obligohet që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 1 mijë euro në emër të paushallit gjyqësor dhe si dhe shumën prej 100 euro për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.
Ndërsa, shpenzimet procedurale lidhur me të akuzuarit Ramadani dhe Sylejmani bien barrë e mjeteve buxhetore të gjykatës.
Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.