Kandidimi i Arbër Ismajlit për kryetar të Komunës së Gjilanit është një lajm i mirëpritur për shumë arsye.
Është një rast i veçantë, sepse shënon kthimin e një gjenerate të angazhuar në mënyrë të natyrshme në jetën politike e qytetare të qytetit, e cila, për shumë vite, sikur ka qenë e anashkaluar. Brezi aktiv i të rinjve të LDK-së së pasluftës, të rritur brenda strukturave dhe frymës së kësaj partie, është pjesë e natyrshme e stafetës politike, dhe Arbëri është shembulli më i mirë se si rritet një udhëheqës brenda një familjeje politike.
E kam njohur Arbërin që nga ditët e para pas luftës: i ri, i përkushtuar dhe gjithmonë i gatshëm të mësojë. Pjekuria e tij politike ka ardhur natyrshëm. I rritur në një familje të ndershme e të arsimuar, me prindër pedagogë të respektuar, Arbëri trashëgoi jo vetëm edukatën qytetare, por edhe frymën e angazhimit publik. Babai i tij, Ruzhdi Ismajli, ishte një veprimtar i njohur politik gjatë kohës së rezistencës, dhe për mua mbetet një figurë që më ka lënë mbresa të thella në takimet tona në ditët e para të çlirimit, në qershor të vitit 1999.
Pas humbjes së hershme të babait, Arbëri dhe familja e tij, përkrah nënës së tyre të palodhur, ia dolën të ndërtojnë jetën me dinjitet dhe përkushtim. Ata jo vetëm që u zhvilluan personalisht, por u bënë kontribuues seriozë në jetën ekonomike dhe qytetare të Gjilanit.
Arbër Ismajli është mishërimi i një gjenerate që ka kaluar të gjitha etapat – nga angazhimi rinor, te funksionet udhëheqëse në komunë dhe strukturat partiake, deri te pjesëmarrja në rrjete ndërkombëtare të zhvillimit ekonomik dhe panaire investimesh në Evropë dhe Azi. Kjo përvojë, ky kontakt i drejtpërdrejtë me zhvillimin global, është aset i pazëvendësueshëm për një qytet si Gjilani, që ka nevojë për një hov të ri zhvillimi.
Gjilani nuk ka më kohë për të humbur. Ka nevojë për modernizim të infrastrukturës, për projekte të prekshme dhe për plane të qarta zhvillimore, afatshkurtra dhe afatmesme, që forcojnë besimin e qytetarit në institucion. Arbëri ka dëshmuar se i kupton këto nevoja dhe, më e rëndësishmja, i ka mjetet për t’i realizuar: përvojën, kontaktet, vullnetin dhe ndjeshmërinë sociale.
Ai nuk vjen nga jashtë për të kërkuar pushtet – është rritur me ndjenjën e shërbimit ndaj qytetit dhe qytetarëve. Ai nuk kërkon të dominojë partinë – është mishërim i saj. Ai nuk e sheh qeverisjen si privilegj personal, por si përgjegjësi publike.
Prandaj, me gjithë kënaqësinë e një bashkëqytetari që e njeh dhe e vlerëson, e mbështes pa asnjë rezervë Arbër Ismajlin për kryetar të Komunës së Gjilanit.
Uroj që fryma e aktivizimit të potencialit kadrovik, që ka nisur në Degën e LDK-së në Gjilan, të forcohet edhe më shumë gjatë këtij procesi dhe të shkojë përtej strukturave partiake, për të mobilizuar shumicën e qytetarëve të Gjilanit që të jenë bashkëpjesëmarrës në ndërtimin dhe zhvillimin e qytetit tonë. Le të afirmojmë së bashku frymën toleruese dhe bashkëpunuese që përfaqëson Arbëri. Më 12 tetor, le të bëhemi të gjithë pjesë e kësaj mundësie të re për Gjilanin.