Interesim i jashtëzakonshëm është parë sot në Kosovë gjatë vizitës së Komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, e gjithë ky interesim lidhej me lajmin rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, por Hahn ka dhënë përgjigje negative se viza nuk do të ketë as këtë vit për kosovarët.
Hahn ka thënë sot para gazetarëve se viza nuk do të ketë as këtë vit, por kërkoi më tepër durim, pasi sipas tij kjo çështje do të marrë kohë edhe për disa muaj.
“Puna është kryer nga Kosova dhe ishte radha jonë të implementojmë dhe kjo ka nisur me raportin dhe është marrë Parlamenti, i cili ka vendosur me një shumicë. Tash çështja ndodhet në Këshillin Evropian, i cili merr më së shumti kohë për ta kaluar këtë hap të procesit dhe kam besim dhe se data 2020 është më realiste, por mos u mbani peng i numrave”, tha Hahn.
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeministri Haradinaj pas takimit me Hahn, duke thënë se nuk kanë marrë ndonjë garanci pas këtij takimi në lidhje me liberalizimin e vizave, njofton gazetametro.net.
“Nga BE-ja është një skepticizëm, ata japin shumë arsyetime, prej atyre që kjo është e logjikshme, se thonë se me Ukrainë e Gjeorgjinë ka zgjedhur një vit e gjysmë periudha kohore mes Komisionit dhe vendimit. Nuk përjashtohet që në një të ardhme të afërt, sepse Këshilli mblidhet çdo tre muaj, mirëpo nuk na japin një garanci se do të ndodh kësaj here”, deklaroi kryeministri.