Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në konferencën e mbajtur sot nga drejtoresha, Shpresa Hajdari, e cila ka elaboruar punën që është duke u bërë në këtë drejtori dhe planifikimin që kanë për vitin 2018, por edhe investimet e mëdha pas shtëpisë së rinisë, punës në shtëpitë e kulturës nëpër disa fshatra dhe veçanërisht për investimet milionëshe që do të bëhen në sektorin e sportit.
Ajo ka thënë se në sektorin e Kulturës janë duke punuar sipas planifikimit, kalendarit të aktiviteteve dhe festave zyrtare, sepse është bartësja kryesore e organizimeve në këtë resor në bashkëpunim me Teatrin, ansablet, shoqëritë dhe organizatat e ndryshme kulturore.
Kurse sipas Hajdarit sa i përket Teatrit të Qytetit, ajo konfirmoi se aty është repertuori i cili duhet të përgatis katër premiera brenda vitit. Këtë vit sipas saj do të fillohet edhe me përgatitjen e shfaqjeve për fëmijë, sepse kështu përmbushet edhe më shumë detyra e këtij institucioni të skenes dhe punblikut.
Ajo ka potencuar se si janë duke punuar në Shtëpitë e Kulturës në Llashticë, Zhegër dhe Përlepnicë, që gjatë të ardhmes do të krijojnë kushte dhe mundësi shtesë për aktivitete të ndryshme në këto fshatra.
Drejtoresha Shpresa Hajdari ka njoftuar se në kuadër të punëve që janë duke bërë është përcaktimi i Federatës së Futbollit të Kosovës, që në Gjilan të ndërtoj këtë vit dy fusha ndihmëse për klubet sportive “Drita” dhe “Gjilani”, ku do të kryhen stërvitjet e tyre.
Edhe sa i përket Stadiumit të Qytetit ajo tha se janë duke monitoruar punën që bëhet atje dhe është një projekt që Gjilanit do ti jap një pamje krejtë ndryshe dhe njëkohësisht do të jetë motiv për sportin e sportdashësit që të vazhdohet tutje me angazhime konkrete dhe mbështetje më të madhe të donatorëve për sportin.
Në sektorin e rinisë drejtoresha ka potencuar angazhimin e madh që bënë ky sektor i cili tashmë ka edhe shtëpinë e aktiviteteve me të rinjtë dhe organizatat e ndryshme rinore.