Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka uruar z. Rama për fitoren në zgjedhjet lokale në kryeqytet dhe ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe përvojën e përbashkët gjatë fushatës.
Në një postim drejtuar qytetarëve të Prishtinës, Çeku ka vlerësuar se takimet dhe bashkëbisedimet me ta gjatë gjithë periudhës zgjedhore kanë qenë një përvojë e jashtëzakonshme, ndërsa ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe besimin që ka marrë.
“Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës”, ka shkruar Çeku.
Ai ka uruar kundërshtarin e tij politik, z. Rama, për fitoren në garë, duke i dëshiruar Prishtinës që “përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”.
“Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi,” ka shtuar Çeku.
Çeku ka bërë të ditur se Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë punën nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke ndjekur me vëmendje çdo hap të qeverisjes së ardhshme dhe duke u siguruar që interesi i qytetarëve të mbrohet deri në fund.
Në fund, ai ka falënderuar ekipin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistët, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët për përkushtimin dhe punën gjatë fushatës, duke theksuar se “rrugëtimi për një Prishtinë më të mirë vazhdon”.









